Qeveria greke i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlament

Qeveria greke i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlament

Marrëveshja e Prespës arriti të nënshkruhej duke e kaluar me sukses edhe një mocion mosbesimi në parlamentin grek, qëllimi i të cilit ishte ta bllokonte atë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Tsipras.

Mocioni i mosbesimit, i cili kërkonte një shumicë prej 151 votash, mori mbështetjen e 127 nga 280 ligjbërës që ishin të pranishëm, nga gjithsej 300 deputetë të Parlamentit.

Dimitris Kammenos, një anëtar i partisë nacionaliste të Grekëve të Pavarur, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, votoi për mocionin dhe u përjashtua menjëherë nga grupi i tij parlamentar.

Mocioni i mosbesimit u paraqit nga Demokracia e Re me argumentin se qeveria nuk mund të nënshkruante marrëveshjen me Shkupin pa miratimin e Parlamentit.

Kreu i demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, kritikoi Tsipras se nuk kishte kërkuar një konsensus me partitë e tjera politike. “Asnjëherë më parë një qeveri greke nuk ka pranuar “gjuhën maqedonase” dhe “etninë maqedonase”.

Kam një detyrim ndaj popullit grek të parandaloj “vdekjen” e të ardhmes së vendit me një marrëveshje të keqe e cila cenon interesat tona kombëtare.”-ka thënë Mitsotakis.

Ndërkohë kryeministri Tsipras u përgjigj duke thënë se kreu i opozitës nuk është aspak i interesuar në përmirësimin e gjendjes ndërkombëtare të vendit, as për një rimëkëmbje ekonomike apo ristrukturim të borxhit. Ai akuzoi opozitën për legjitimimin e nacionalizmit ekstrem me qëllimin e vetëm për të parë rënien e qeverisë së tij.

COMMENTS