"> A po anulohet rryma e lirë? – ShkupiLajm.com
A po anulohet rryma e lirë?

A po anulohet rryma e lirë?

Shpërndaje

Jozyrtarisht, KOHA merr vesh se një nga kërkesat e kompanive energjetike në vend drejtuar ndaj Komisionit Rregullator për Energjetikë, përskaj shtrenjtimit të rrymës, do të jetë edhe anulimi i tarifës së lirë. Bislimovski thotë se në qershor presin kërkesë konkrete, megjithatë siguron se në përgjithësi, KRE nuk do të pranojë rritje të çmimit të energjisë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 20 maj – Pas debateve vitin e kaluar për anulimin e rrymës së lirë, një temë e tillë sërish po kthehet në opinion pak para shtrenjtimit eventual apo mbetjes në të njëjtin nivel të çmimit të energjisë elektrike. Jozyrtarisht merret vesh se një nga kërkesat e kompanive energjetike në vend drejtuar ndaj Komisionit Rregullator për Energjetikë, përskaj shtrenjtimit të rrymës – do të jetë edhe anulimi i tarifës së lirë. Vitin e kaluar, rryma u shtrenjtua për 7.4 për qind me kërkesën e kompanive shtetërore energjetike, mirëpo Komisioni Rregullator për Energjetikë, për të zbutur shtrenjtimin, vendosi të mbetet në përdorim edhe energjia e lirë për amvisëritë që shfrytëzohet dy herë në ditë. Nga 1 gushti i vitit 2020, çmimi i një kilovat orë rrymë kushton 5.95 denarë përgjatë tërë ditës, me përjashtim dy orë ditën dhe pas orës 22, kur kushton 2.99 denarë për një kilovat orë .

PËRGJIGJE KONKRETE NË FUND TË QERSHORIT

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se akoma nuk kanë kërkesë konkrete nga kompanitë energjetime për anulimin e rrymës së lirë. “Në rast se marrim kërkesë për anulimin e tarifës së lirë të rrymës, për këtë do të informojmë opinionin se kush e parashtron një kërkesë të tillë, dhe cilat janë shkaqet për një kërkesë të tillë”, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Pritet që vendimi për shtrenjtimin apo jo të rrymës, si dhe anulimin eventual të tarifës së lirë – të merret në fund të muajit qershor. Gjithashtu, pritet që kompania e transmetimit të rrymës të kërkojë rritje të çmimit për shërbimet e tyre që në fund mund të sjellë edhe rrymë më të shtrenjtë. Numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë , Marko Bislimovski, megjithatë thotë se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës. “Do të ndërmerren të gjitha mekanizmat ligjor, bile rregullatorët mund të dalin edhe jashtë kompetencave të tyre, që të mos lejohet shtrenjtimi i rrymës”, thotë Bislimovski, duke mos qartësuar hapat e mëtejshëm që mund të vijojnë në këtë drejtim.

LIBERALIZIM I TREGUT TË RRYMËS

Prej dy vitesh, me ndryshimet ligjore, ky komision mund të ndikojë me vetëm 38 për qind në çmimin përfundimtar të rrymës, por jo edhe ndaj çmimit me të cilin Elektro Ekonomia e Maqedonisë apo Elektranat e Maqedonisë ia shesin rrymën EVN-së, dhe as nuk ka ndikim në koston e burimeve të rinovueshme të energjisë që ndikojnë në faturën e fundit që e paguajnë konsumatorët privat. Me fillimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike prej 1 janarit të vitit 2019, Komisioni Rregullator nuk e përcakton më çmimin e Elektro Ekonomisë dhe furnizuesit universal EVN, që në tender i blen sasitë e nevojshme kryesisht për nevojat e amvisërive. Tani, këtë vit, pritet që Elektro Ekonomia e Maqedonisë të ofrojë 70 për qind të nevojave të konsumatorëve, megjithatë nuk ka garanci se do të blihet kjo sasi e ofertuar në rast se tregtarët e tjerë me energji elektrike ofrojnë çmime më të volitshme. “Në këtë pjesë apo afër 44 për qind të furnizimit të energjisë elektrike, ne nuk mund të ndikojmë”, thekson Bislimovski.

COMMENTS