"> Anketat: Banorët e Evropës Perëndimore shpresojnë në fitoren e zotit Biden – ShkupiLajm.com
Anketat: Banorët e Evropës Perëndimore shpresojnë në fitoren e zotit Biden

Anketat: Banorët e Evropës Perëndimore shpresojnë në fitoren e zotit Biden

Shpërndaje

Sipas një sondazhi të fundit nga organizata “YouGov”, shumica e banorëve të Evropës Perëndimore preferojnë që demokrati Joe Biden të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetete e Bashkuara. Firma kërkimore pyeti dhjetëra mijëra njerëz mbi zgjedhjet e ardhshme të 3 nëntorit. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, mbështetja për Presidentin Donald Trump është më e fortë në Evropën Lindore.

https://www.zeriamerikes.com/a/5621434.html

Korrik 2017 – Donald Trump dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron ishin të dy në muajt e parë të presidencave të tyre përkatëse. Ata krijuan një miqësi që dukej e pamundur. Dy udhëheqës shumë larg njëri-tjetrit nga pikëpamja politike që kërkonin të riafirmonin aleancën transatlantike.

Qysh atëherë, dallimet për çështjet e tregtisë, ndryshimin e klimës, NATO-n dhe Brexit-in e kanë vënë marrëdhënien e tyre në tension. Banorët e Parisit që folën me Zërin e Amerikës shpresojnë për një ndryshim të udhëheqjes në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë do të doja që zoti Trump të humbiste. Nuk jam e sigurt se ai do të humbasë, sepse ka shumë mbështetës. Unë nuk di shumë për zotin Biden”, thotë Sophie Chiles, banore e Parisit.

“Unë nuk e di nëse zoti Biden do të ishte një president më i mirë. Por shpresoj që nëse kemi një ndryshim në administratë ne do të mund të ripërtërijmë marrëdhëniet normale me Shtetet e Bashkuara”, thotë Pierre Le Goff, punonjës qeveritar.

Një sondazh i fundit nga “YouGov” sugjeron se këto pikëpamje dominojnë në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Në Francë, pothuajse dy të tretat e të anketuarve dëshirojnë një fitore të zotit Biden, ndërsa 16 për qind favorizojnë Presidentin Trump.

Danimarka favorizon më së shumti zotin Biden me 80 për qind të të anketaurve, kundrejt 6 për qind që shprehën mbështetje për Presidentin Trump. Në Gjermani, mbi 70 për qind e të anketuarve dëshirojnë një fitore të zotit Biden.

“Shpresoj të zgjedhin një president të ri”, tha banorja e Berlinit, Martina Stoffregen.

“Nuk kemi të bëjmë më me një shkëmbim argumentesh, përkundrazi të gjithë qëndrojnë në kampin e tyre dhe ata janë aq larg njëri-tjetrit sa që kjo më frikëson”, thotë Andreas Eberlein, banor i Berlinit.

Banorët e Barcelonës i thanë Zërit të Amerikës se rezultati i zgjedhjeve ka të ngjarë të ndikojë në Spanjë.

“Ne e kemi parë luftën tregtare të zotit Trump me Kinën, Evropën, dhe në fund kjo do të ketë ndikim në të gjithë Evropën dhe Azinë”, thotë Sergi, banor i Barcelonës.

Në Evropën Lindore ka mbështetje më të madhe për Presidentin Donald Trump. Një sondazh i vitit 2019 nga organizata kërkimore “Pew” tregoi se më shumë se gjysma e polakëve kishin një mendim të favorshëm për presidentin amerikan, më i larti në Evropë. Vendimi i Presidentit Trump për të rritur numrin e trupave amerikane në Poloni është shumë popullor.

Presidenti Trump gjithashtu ka marrë vlerësime në Kosovë për përpjekjet e tij për arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo reklamë në autostradën pranë aeroportit të Kosovës u financua nga një shtetas kosovar që jeton në Suedi.

“Është për të nderuar presidentin amerikan. Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë”, thotë Naim Murseli, nismëtar i përpjekjes për të vendosur një reklam të Preisdentit Trump në Kosovë.

Pavarësisht se kush do të fitojë, shumë evropianë besojnë se rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara do të ketë një ndikim të madh në këtë anë të Atlantikut. Interesi për fushatën po rritet ndërsa zgjedhjet e 3 nëntorit po afrojn.

COMMENTS