"> ASH-BESA, koalicion “puro” opozitar – ShkupiLajm.com
ASH-BESA, koalicion “puro” opozitar

ASH-BESA, koalicion “puro” opozitar

Nga dy partitë opozitare – ASH dhe Lëvizja BESA, për gazetën KOHA brifojnë se po punohet në jetësimin e koalicionit trepalësh, por nuk përjashtojnë mundësinë edhe të një koalicioni dypalësh, duke përjashtuar ato që vetë përjashtohen nga procesi, si dhe mundësinë që të garojnë vetëm në zgjedhjet e 12 prillit

Shpërndaje

Destan JONUZI

Shkup, 9 janar – Koalicioni më natyral opozitar do të ishte mes Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizjes BESA, ndërsa që të mos përsëritet 2016-ta, është më se i nevojshëm koalicioni trepalësh ASH, Lëvizja BESA dhe Alternativa. Ky është konstatim i njohësve të zhvillimeve politike në vend, duke folur për bashkimin e këtyre tre partive opozitare për të sfiduar dhe fituar BDI-në e Ali Ahmetit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, thotë se koalicioni duhet të jetë trepalësh: ASH-BESA-Alternativa. “Alternativa bëri gabim në hapa, shkaku se nuk doli nga koalicioni qeveritar në një kohë të caktuar para shpërndarjes së Parlamentit. Ky është një hap i gabuar. Mendoj se një koalicion gjithëpërfshirës është i domosdoshëm. Duhet një koalicion gjithëpërfshirës pa parë se kush gaboi e kush jo, sa gaboi e si gaboi. Ndryshe, opozita do ta humbë vlerën e saj”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.

Lidhur me qëndrimin e Alternativës se refuzojnë kategorikisht të ulen në tavolinë ku është edhe Lëvizja BESA, Pollozhani thotë se është papjekuri politike e krerëve të kësaj partie. “Vijat e kuqe nuk i bëjnë politikanët e pjekur dhe mençur. Në politikë nuk duhet asnjëherë të vihen vija të kuqe se nuk i dihet fundi, kryesorja është të arrihet qëllim që të mposhtet e keqja. Duhet të ketë një koalicion trepalësh, pa marrë parasysh dallimet. Koalicioni trepalësh është imperativ i kohës. Në rast se nuk bashkohen, do të përsëritet 2016-ta, kur opozita kishte mbi 120 mijë vota dhe humbi, kurse pozita e sotme kishte 80 mijë vota dhe doli fituese. Le të marrin një mësim nga zgjedhjet e vitit 2016”, nënvizon Pollozhani.

Në anën tjetër, analisti Blerim Hyseni vlerëson se koalicion më i natyrshëm dhe më normal opozitar do të ishte mes ASH-së dhe Lëvizjes BESA, por që sipas tij, nuk do të jetë afatgjatë. “Në skenën politike në Maqedoni shpesh kanë ndodh dhe do të ndodhin koalicione jo të natyrshme në kuptimin e platformave politike, prandaj mendoj që edhe kësaj radhe do të ndodhin koalicione të këtilla siç mund te jetë koalicioni ASH-BESA, sepse derisa e para më shumë pretendon të paraqitet si parti kombëtare, e dyta sikur aspekteve tjera u jep më shumë peshë. Si do qoftë, emërues të përbashkët kanë fitoren ndaj BDI-së. Kjo sikur ka venitur dallimet e tjera, por vlerësoj se vështirë të bëhet koalicion jetëgjatë, pasi dallimet janë shumë thelbësore”, deklaroi për KOHA, Hyseni.

Ndrysh, nga dy partitë opozitare – ASH dhe Lëvizja BESA për gazetën KOHA brifojnë se po punohet në jetësimin e koalicionit trepalësh, por nuk përjashtojnë mundësinë edhe të një koalicioni dypalësh, duke përjashtuar ato që vetë përjashtohen nga procesi, si dhe mundësinë që të garojnë vetëm në zgjedhjet e 12 prillit. (koha.mk)

COMMENTS