"> Buçkovski sot për vizitë në Sofje – ShkupiLajm.com
Buçkovski sot për vizitë në Sofje

Buçkovski sot për vizitë në Sofje

Shpërndaje

I dërguari special i Republikës së Maqedonisë për Bullgarinë Vllado Buçkovski sot do të mbërrijë në Sofje për të biseduar me krerët më të lartë të Qeverisë bullgare, njofton Portalb.mk.

Vizita do të zgjasë disa dit, ndërsa herën e fundit në Sofje ai ishte në fillim të dhjetorit, kur kishte takime me ministren e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, kryeministrin Bojko Borisov dhe ministrin e Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Sipas mediave bullgare, qëllimi i vizitës së Buçkovskit është kthimi i besimit mes të dyja vendeve dhe zbatimi i Marrëveshjes së Fqinjësisë dhe Miqësisë, e cila u nënshkrua në 1 gusht 2017.

Por ashtu edhe siç njoftoi MPJ-ja e Maqedonisë, Buçkovski do të udhëtojë shpesh në Bullgari për të përcjellë Planin Aksional dhe inkurajimin e bashkëpunimit.

“Në këtë drejtim, duam që edhe një herë të potencojmë se roli i përfaqësuesit special Buçkovski është që rregullisht të udhëtojë për në Bullgari me qëllim përcjelljen e Planit Aksionar dhe inkurajimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim është e pritshme në periudhën në vazhdim të realizojë udhëtime të shpeshta në relacionin Shkup- Sofje”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Jashtme.

Vlado Buçkovski u emërua i dërguari special i Qeverisë së Maqedonisë në Bullgari në fillim të dhjetorit 2020.

Ndërkohë ministrat e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë rënë dakord që ditëve në vijim të shkëmbejnë propozime nga të dy palët mbi Planin e Aksional për zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes për Miqësi të vitit 2017, me qëllim që të gjendet mënyrë për të forcuar zbatimin dhe efikasitetin e saj.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

COMMENTS