"> Dita Botërore e Vajzave: Historia e Vlora Gashit – ShkupiLajm.com
Dita Botërore e Vajzave: Historia e Vlora Gashit

Dita Botërore e Vajzave: Historia e Vlora Gashit

Shpërndaje

Në Ditën Botërore të Vajzave, Zëri i Amerikës sjell rrëfimin e një studenteje të komunitetit egjiptian në Kosovë mbi vështirësitë nëpër të cilat ajo kalon për të plotësuar ëndrrën e saj që të bëhet mësuese. Autoritetet thonë se qasja në arsim për të gjithë fëmijët e moshës shkollore në Kosovë mbetet një sfidë. Hollësi sjell kronika e korrespondentes sonë, Edlira Bllaca.

https://www.zeriamerikes.com/a/5617267.html

Vlora Gashi, 20 vjeçe, jeton në një familje shtatë anëtarëshe në Fushë Kosovë, disa kilometra larg kryeqytetit. Meqë i takon komunitetit pakicë, egjiptian, ajo thotë se është rritur duke u ndier e pabarabartë me fëmijët e tjerë.

“E kam mësuar instiktivisht që bankat e para nuk janë për fëmijët e komunitetit dhe kam qenë e vogël e nuk e kam ditur çka është racizmi, më ka ndodhur dhe e kam tejkaluar disi. Ndërsa në shkollë të mesme më ka ndodhur që profesorët kanë përdorur terme të ndryshme raciste si ‘mos u bëj si magjup’ ose ‘pse je lyer si magjupe”, thotë ajo.

Duke përjetuar diskriminimin më të madh në shkollë, Vlorës i lindi ëndrra që të bëhej mësuese dhe t’i trajtonte të gjithë fëmijët njësoj në të ardhmen. Sot, ajo është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

“Plani im për të ardhmen është që pas fakultetit të bëhem mësuese dhe t’i mësoj fëmijët edhe të komunitetit pakicë por edhe ata shqiptarë, sepse unë vet e kam përjetuar diskriminimin dhe nuk dua që të tjerët ta përjetojnë atë ndjesi”, thotë Vlora.

Por, fatin e njëjtë me të nuk e ndajnë shumë vajza të tjera në Kosovë, të cilat edhe pse në moshë shkollore, nuk janë regjistruar asnjëherë në shkollë, apo e kanë braktisur atë ndërkohë.

Gati katër për qind e vajzave në moshë shkollore janë tash për tash jashtë sistemit arsimor. Derisa në vitin e fundit akademik, 58 vajza që ishin pjesë e sistemit e kanë braktisur atë.

Merita Jonuzi nga ministria e Arsimit, shpjegon për Zërin e Amerikës disa nga arsyet që nxisin këtë dukuri.

“Kemi më shumë kategori sociale, problemet sociale, problemet familjare, dhuna në familje, dikush që ka papërgjegjësi prindërore, e detyron fëmijën të mirret me dicka tjetër dhe ia ndërpret shkollimin. Te komunitetet rom, ashkali, egjiptian është evidente edhe martesa e hershme, nëse flasim në mënyrë specifike për vajzat”, thotë zonja Jonuzi.

Vlora, thotë se dëshiron të jetë shembull për vajzat e komunitetit të saj që të ndjekin rrugë ndryshe..

“Unë jam e vetëdijshme për vajzat e komunitetit tonë që martohen shumë herët por ato nuk kanë faj sepse përjetojnë racizëm dhe mendojnë që mënyra më e lehtë dhe më e mirë për to është martesa. Unë kam dashur të sjellë ndryshim në komunitet dhe kam prioritete të tjera që vajzat që vijnë pas meje mos ta marrin atë rrugë të gabuar”, thotë ajo.

Zonja Jonuzi, thotë se braktisja e shkollës nga vajzat është në rënie viteve të fundit, derisa ministria e Arsimit është vënë në përpjekje për parandalimin e kësaj dukuri përmes ekipeve të posaçme në çdo komunë.

“Këto ekipe përveç që duhet të identifikojnë rastet në rrezik ta braktisin shkollën, dhe ata që e braktisin shkollën t’i rikthejnë në çfarwdo faze që është e mundur. Këto ekipe duhet të kenë përkushtim pët t’i identifikuar edhe ata fëmijë që nuk janë regjistruar fare dhe t’i sjellin në bankat e shkollës”, thotë ajo.

Përfaqësues të organizatave humanitare në vazhdimësi tërheqin vërejtjen për diskriminimin që përjetojnë pakicat rom, ashkali e egjiptian në Kosovë. Ata thonë se pavarësisht që këto komunitete janë integruar në sistemin politik të vendit, të drejtat e tyre siç është edhe qasja në arsim janë shpesh herë të cunguara.

Në raportet zyrtare nga ministria e Arsimit mbi fëmijët jashtë sistemit arsimor theksohet se mungojnë të dhënat e plota për fëmijët jashtë shkolle, meqë shpesh herë mosregjistrimi i tyre apo braktisja e shkollës nuk raportohet kurrë.

COMMENTS