"> Libra digjitalë e shkolla pa karrige – ShkupiLajm.com
Libra digjitalë e shkolla pa karrige

Libra digjitalë e shkolla pa karrige

Shpërndaje

Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”, konsiderojnë se ky vendim do të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në arsim në aspekt të uljes së cilësisë, diskriminimit dhe dëmtimit psikologjik të fëmijëve. Samet Jahiu, mësues dhe drejtues i LASH-it në rajonin e Likovës dhe Kumanovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkollat po përballen me probleme të shumta, që sipas tij, kërkojnë zgjidhje urgjente para se të kalohet në digjitalizimin e librave

Shkup, 24 prill – Vendimi i Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut që në shkollimin fillor dhe të mesëm, procesi arsimor të nisë të zhvillohet me libra digjitalë, ka nxitur reagime të shumta në opinion, për atë nëse sistemi arsimor është i gatshëm ose jo për një projekt të tillë. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka thënë se vendimi bazohet në Ligjin për tekste shkollore, që parasheh proces të kombinuar, përkatësisht libra digjitalë dhe libra të shtypur, varësisht zonave ku mund të zbatohet. Ajo ka thënë se vendimi bazohet në praktikat e shteteve të zhvilluara, por edhe rajonale ku tashmë po përdoren librat digjitalë.

“Me Ligjin për librat, për herë të parë do të vendosen filtra që do të sigurojnë kualitet në arsim përmes komisioneve të përbëra nga mësues të lëndëve përkatëse dhe ekspertë që kanë përvojë për parandalimin e diskriminimit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si diskriminim në baza etnike, diskriminimin e grave apo prishjen e konceptit qytetar të shtetit”, ka deklaruar Ministrja e Arsimit, Milla Carovska. Ajo ka shtuar se çdo prind që do të vlerësojë se fëmija i tij nuk mund të mësojë në formë elektronike, do të mund ta shtypë librin, ndërsa familjeve me vështirësi financiare do t’u sigurohen edhe pajisje elektronike nga shkollat. Vendimi do të zbatohet në mënyrë graduale ndërsa do të nisë me nxënësit e klasës së katërt në arsimin fillor. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka thënë se librat digjitalë nuk do të ndikojnë negativisht te fëmijët, pasi siç është shprehur ajo, “fëmijët edhe ashtu pjesën më të madhe të kohës e kalojnë para pajisjeve elektronike të internetit”.

Por, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) dhe nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”, konsiderojnë se ky vendim do të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në arsim në aspekt të uljes së cilësisë, diskriminimit dhe dëmtimit psikologjik të fëmijëve. Samet Jahiu, mësues dhe drejtues i LASH-it në rajonin e Likovës dhe Kumanovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkollat po përballen me probleme të shumta, që sipas tij, kërkojnë zgjidhje urgjente para se të kalohet në digjitalizimin e librave. “Ne jemi kategorikisht kundër kësaj metode të arsimit. Ne në shkolla nuk kemi as karrige, flas për komunën tonë, të mos flasim për fshatrat e Karadakut, të Malësisë ku as internet nuk ka e të mos flasim për pajisje elektronike. Ka familje që nuk kanë bukë të hanë e lëre më t’i sigurojë fëmijës kompjuterin, laptopin apo tabletin. Unë nuk e di se kush ia jep asaj këto këshilla”, thotë Jahiu, duke folur më tej edhe për siç thotë, dështimin e mësimit online. “Ne veç më po i ndiejmë pasojat e mësimit online, pasi tani jemi në fund të vitit. Së pari nuk dimë si të bëjmë notimin e nxënësve me metodën që po praktikon ministrja e Arsimit. Për shembull, kemi klasa me 20 nxënës dhe prej tyre të pranishëm në mësim kemi pasur vetëm tre nxënës dhe si do të bëjmë notimin e tjerëve?”, thotë Jahiu.

Dragi Zmijanac, drejtues i Ambasadës “Megjashi”, thotë se digjitalizimi i librave do të thellojë edhe më shumë diskriminimin mes nxënësve, ndërsa pasoja do të ketë edhe në aspektin shëndetësor. “Digjitalizimi i librave paraqet rrezik për diskriminimin e grupeve të qytetarëve në gjendje të vështirë ekonomike e sociale. Jo të gjithë do të mund të përfshihen në këtë proces. Ne edhe gjatë mësimit online kemi pasur raste të shumta kur fëmijët e zonave rurale apo në gjendje të rëndë (ekonomike), nuk kanë bërë qoftë edhe një orë mësim dhe në anën tjetër fëmijët në gjendje të qëndrueshme kanë avancuar në mësim. Por, veç kësaj, do të kemi edhe pasoja shëndetësore nga fakti së fëmijët do të qëndrojnë shumë kohë para kompjuterit apo pajisjeve tjera elektronike”, thotë Zmijanac.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1300 fëmijë në zonat e thella nuk kanë energji elektrike në shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë nuk kanë mundur të kyçen në mësimin online për shkak të mospasjes së internetit e të tjerët që kishin internet, nuk kishin pajisje elektronike. Pavarësisht kësaj, Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, mësimin online e ka vlerësuar të suksesshëm. (REL)

COMMENTS