"> Liqenet destinacioni turistik më i preferuar në Maqedoni – ShkupiLajm.com
Liqenet destinacioni turistik më i preferuar në Maqedoni

Liqenet destinacioni turistik më i preferuar në Maqedoni

Shpërndaje

Liqenet mbeten destinacioni turistik më i preferuar në Maqedoni. Jo vetëm në sezonin e verës. Në muajin e fundit të vitit të kaluar ku pritshmëritë nga turizmi prej disa muajsh janë minimale, numri i turistëve që kanë zgjedhur liqenet si destinacionin e tyre për të pushuar ka qenë i madh, madje edhe më shumë se Shkupi dhe vendet malore që viteve të tjera janë renditur të parat sipas numrit të turistëve vendas dhe të huaj.

Sipas të dhënave zyrtare, referuar muajit dhjetor të vitit 2020 mbi 31 mijë turistë, vendas e të huaj i janë drejtuar pikave të ndryshme turistike, ku rreth një e tretat kanë zgjedhur si destinacion liqenet dhe hotelet me katër yje.

Pas turqve, shqiptarët renditen të parët

Pikat turistike malore janë vizituar nga mbi 7 mijë turistë, ndërsa Shkupi ka qenë destinacioni i mbi 5 mijë vizitorëve. Sa i takon nacionalitetit të turistëve të huaj shqiptarët renditen të parët pas turqve. Mbi 1500 shtetas nga Shqipëria dhe Kosova e kanë zgjedhur Maqedoninë si destinacion turistik për muajin dhjetor dhe festat e fundvitit, të dytët janë shtetasit nga Turqia, mbi një mijë turistë. Turistët shqiptarë kanë shënuar edhe rekordin e bujtjeve, mbi tre mijë.

Numri i turistëve krahasuar me një vit më parë është përgjysmuar, si pasojë e pandemisë dhe reduktimit prej gati 90 për qind e turistëve të huaj. Por që është kompensuar nga turistët vendas, numri i të cilëve është rritur me rreth 30 për qind krahasuar me vitin 2019, ku festat e fundvitit janë festuar jashtë vendit.

Viti i kaluar shënoi shifra të ulta turistësh, krahasuar me një vit më parë. Periudha janar – dhjetor 2020 solli rreth 70 turistë më pak sesa vitet e tjera.

Shifrat e ulta të turistëve pritet të vijojnë edhe gjatë këtij viti, pavarësisht faktit se në Maqedoni kanë filluar rezervimet dhe aranzhmanet për muajt maj-qershor të këtij viti, bëjnë me dije agjencitë turistike. Operatorët turistikë vendas shpresojnë tek masat e qeverisë, ndërsa si problem kryesor për sezonin e ardhshëm është nëse vaksinimi kundër Covid-19 do të jetë i detyrueshëm gjatë udhëtimit.

Sipas prenotimeve të deritanishme përmes agjencive turistike më të preferuarat janë vilat me qera dhe akomodimet në natyrë, vizita në zonat rurale… Po ashtu, si një opsion tjetër janë turet virtual për promovimin e atraksioneve turistike. Sipas parashikimeve – vetëm në vitin e ardhshëm pritet që turizmi të marrë veten nga pasojat e pandemisë, por duke u rikthyer në situatën që ishte në vitin 2019.

Turizmi global humbi 320 miliardë dollarë në pesë muaj

Industria e turizmit global është shkatërruar nga pandemia me koronavirus me 320 miliardë dollarë humbje në eksport në pesë muajt e parë të vitit, dhe me më shumë se 120 milionë vende të punës në rrezik, ka thënë shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ai ka thënë se turizmi është sektori i tretë më i madh i eksportit të ekonomisë globale pasi më 2019 ka kontribuuar për 7 për qind të tregtisë globale.

“Ky sektor punëson një në 10 persona në botë dhe u ofron jetesë qindra miliona personave tjerë”, ka thënë ai. Ai ka përmendur se turizmi për disa shtete përbën 20 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm. Sandra Carvao, shefe për inteligjencë të tregjeve dhe konkurrencë në Organizatën Botërore të Turizmit, ka thënë se humbjet prej 320 miliardë dollarëve në periudhën janar-maj, janë trefish më të mëdha krahasuar me ato të krizës financiare globale më 2009.

COMMENTS