"> MAKFIRJA, SFIDUESJA E LINJËS 35! Shqiptarja e vetme shofere e autobusëve në NPK – ShkupiLajm.com
MAKFIRJA, SFIDUESJA E LINJËS 35! Shqiptarja e vetme shofere e autobusëve në NPK

MAKFIRJA, SFIDUESJA E LINJËS 35! Shqiptarja e vetme shofere e autobusëve në NPK

Shpërndaje

Është një rast i rrallë, në një profesion ku duket se i takon “botës së burrave”, shoferja me stazh është edhe shqiptarja e vetme që ka vendosur të thyejë tabutë dhe të punojë në profesionin të cilin ajo e do dhe ndihet krenare. E paragjykuar në disa raste, por edhe e respektuar për profesionalizmin Makfirja është shembulli i gruas dhe nënës kryefamiljare që ia del mbanë në sfidat e jetës

Arbër KADRIU

Shkup, 6 prill – Një grua e ulur pas timonit të autobusit nuk është një pamje e pazakontë për udhëtarët e linjës urbane 35. Prej më shumë se 16 vitesh, Makfire Shaqiri i pret me buzëqeshje dhe batuta pasagjerët e rregullt të linjës së vet, që çdo ditë bëjnë itinerarin e njëjtë. Është një rast i rrallë, në një profesion ku duket se i takon “botës së burrave”, shoferja me stazh është edhe shqiptarja e vetme që ka vendosur të thyejë tabutë dhe të punojë në profesionin të cilin ajo e do dhe ndihet krenare. E paragjykuar në disa raste, por edhe e respektuar për profesionalizmin Makfirja është shembulli i gruas dhe nënës kryefamiljare që ia del mbanë në sfidat e jetës. Siçtregon edhe vetë gjatë këtyre viteve të përvojës në punë, Makfirja ka kaluar momente nga më të ndryshme, të sikletshme, por edhe të bukura, ku udhëtarët kanë treguar admirim dhe respekt.

“Ishte 8 mars. Atë ditë një zotëri më priti në stacion tek ‘Biseri’ pothuajse gjithë ditën me lule në dorë. Unë atë ditë nuk shkova në punë pasi e kisha pushim, të nesërmen m’i dhuroi lulet dhe më tregoi që më kishte pritur. Vërtetë ka raste dhe momente interesante në punën që bëj, njerëzit janë të mirë, por pak janë ata të pa civilizuar të them të drejtën, por shumica janë të mrekullueshëm. Kjo më kënaq mua dhe më jep motiv”, thotë Shaqiri. Ajo drejton autobusë në disa linja urbane, por më shumë në linjën me 35. Mungesa e kulturës në komunikacion për Makfiren është problemi më i madh, sidomos kur autobusin e parakalojnë pa nevojë makina dhe motorë që drejtohen nga shoferë të pakujdesshëm, pa menduar se automjeti 12 tonësh nuk mund të manovrohet pa pasoja për udhëtarët që ka brenda, të moshuar, fëmijë, shtatzëna, të sëmurë.., etj. Makfirja, si një nënë kryefamiljare, i është dashur të përballojë gjithçka e vetme, sidomos në fillimet e punës së saj në Ndërmarrjen publike të transportit urban, ku ka qenë e shoqëruar edhe nga i biri.

“Në vitet e para që në mëngjes e merrja djalin me vete, ishte vetëm dy vjeç, por u rrit afër meje. Ulej dhe ndonjëherë flinte teksa unë i jepja autobusit. Që të mbijetosh si prind i vetëm është shumë e vështirë. Nuk di si ta përshkruaj me fjalë, atë mund ta dijë vetëm një person sikur unë. Ishte e vështirë që të gjendesha në shumë situata, edhe pse gjithçka kaloi”, thotë Shaqiri.

Në këtë periudhë pandemie Makfires, ku linjat urbane kanë punuar prej shumë kohësh me kapacitete e orare të kufizuara, asaj i mungojnë udhëtarët e saj, sidomos nxënësit e shkollave. “Lutem që kjo periudhë të kalojë sa më shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit, jetës që kemi bërë deri tani”, thotë shoferja e linjës 35. (koha.mk)

COMMENTS