"> Mbi padinë e Edi Ramës kundër Ramush Haradinajt – Nga dr. Islam LAUKA – ShkupiLajm.com
Mbi padinë e Edi Ramës kundër Ramush Haradinajt – Nga dr. Islam LAUKA

Mbi padinë e Edi Ramës kundër Ramush Haradinajt – Nga dr. Islam LAUKA

Shpërndaje

Dje, me 15.01.2020, ditën e përkujtimit të viktimave të Masakrës së Reҫakut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjeti rastin të dorëzojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një padi, prej 30 faqesh, kundër Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Ai e akuzon homologun e vet kosovar për shpifje. “Shpifja” e Haradinajt qëndron në deklaratën e tij se, krahas Vuҫiҫit dhe Thaҫit, edhe Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo, sipas Ramës, ka cënuar nderin, personalitetin, dinjitetin dhe reputacionin e tij.

Jemi para një situate paradoksale, kur kryeministrat e dy vendeve vëllezër, në vend që të takoheshin për të diskutuar se si të ҫohen përpara marrëdhëniet dypalëshe, ose se si të koordinohen hapat në politikën e jashtme për përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, do të takohen në gjykatë, për të sqaruar marrëdhëniet midis tyre.

Në gjykimin tim, akuza e ngritur kundër Haradinajt për shpifje është e pathemeltë. Ai thjesht ka bërë një deklaratë politike, siҫ kanë vepruar edhe drejtuesit e tjerë të institutioneve shtetërore të Kosovës, me përjashtim të Presidentit Thaҫi, si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike të Kosovës. Edhe unë jam midis atyre që e kanë kritikuar Kryeministrin Rama si frymëzues dhe mbështetës të tezës së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kritika ime është bazuar tek deklaratat e vetë Edi Ramës në emisionin “Opinion” (TV Klan), të datës 20.09.2018, kur për të justifikuar mbështetjen e tij për këtë tezë, në mënyrë abuzive, iu referua Presidentit Ibrahim Rugova, sikur edhe ai, gjoja, paska qenë për shkëmbim territoresh. Në këtë vijë është edhe deklarata e tij në konferencën e shtypit, në përfundim të mbledhjes së dy qeverive, në Pejë, me 26.11.2018, në mbrojtje të hapur të Presidentit Thaҫi dhe tezës së tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Të asaj periudhe janë edhe thirrjet e Edi Ramës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kuptohet, pas arritjes së marrëveshjes me Vuҫiҫin, për dhënien e territorit të Kosovës, në veri të lumit Ibër. Të asaj kohe janë edhe sulmet e Edi Ramës kundër kancelares Merkel dhe shprehjet e tij “patriotike” se është Kryeministër i shqiptarëvë dhe se shqetësohet për kombin e vet, ndërsa ajo është kancelare e Gjermanisë dhe shqetësohet për kombin e saj. Gjithë ky mllef i tij, kundër kancelares ishte vetëm për shkak se Merkel u distancua qartazi nga ideja e shkëmbimit të territoreve.

Nga sa më sipër, mund të arrihet në përfundimin se akuza e Haradinajt kundër Ramës nuk ishte e pabazë dhe se në asnjë element të saj nuk e konsumon krimin e shpifjes për të cilin është paditur nga Rama.
Edi Rama pretendon se, si pasojë e shpifjes së Haradinajt, i është cënuar nderi, personaliteti, dinjiteti dhe reputacioni. Mendoj se janë gjëra të tjera, shumë më të rëndësishme, që kanë cënuar dhe cënojnë integritetin e tij. Kryeministri Rama ka humbur shumë nga integriteti i tij politik e moral, kur, pa u konsultuar fare me Prishtinën, vendosi taksën në Rrugën e Kombit. Kryeministri Rama ka humbur shumë nga integriteti politik e moral, kur, pa u konsultuar fare me Prishtinën, në marrëveshje me mikun e tij, Presidentin serb Vuҫiҫ, vendosi krijimin e “miniscengenit ballkanik”, duke përjashtuar Kosovën. Kryeministri Rama humbi shumë nga integriteti i tij politik e moral, kur, në fjalimin e tij, mbajtur me 9 janar të këtij viti, mbi programin dhe prioritetet e Presidencës shqiptare të OSBE-së të vitit 2020, nuk foli asnjë fjalë për Kosovën. Kryeministri Rama humbi edhe më shumë dje, me 15 janar, kur ditën e përkujtimit të viktimave të Reҫakut, dorëzoi padinë për shpifje kundër Ramush Haradinajt. Do të ishte në nderin dhe integritetin e tij politik e moral, sikur, pikërisht dje, ai të vinte në Reҫak, dhe bashkë me homologun e tij kosovar, të formulonin padinë kundër Aleksandër Vuҫiҫit, i cili, Masakrën e Reҫakut, e ka quajtur sajesë të shqiptarëve dhe të amerikaneve. Kjo po, është shpifje. Dhe për këtë duhet vënë para bankës së të akuzuarve autorin e saj, Presidentin serb. Pa harruar që, as sot e kësaj dite, nuk janë vënë para drejtësisë, as urdhërdhënësit dhe as ekzekutuesit e kësaj masakre.

Pa dyshim, veprimet e Ramës, si ky i fundit, me padinë kundër Haradinajt, janë të dëmshme për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Por do të ishte gabim fatal, që marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, të identifikoheshim me një person, qoftë ky edhe kryeministri. Ato janë me rëndësi jetike, strategjike, politike, ekonomike, kulturore dhe, mbi të gjitha, kombëtare. Dëshiron apo jo, ky apo ai udhëheqës, në Tiranë a Prishtinë, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë do të zhvillohen e do të forcohen më tej, në të mirë të dy shteteve tona dhe të kombit shqiptar. Ky është vullneti i shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Mirë do të ishte që udhëheqësit tanë t’I bashkohen vullnetit të popullit. Shqipëria dhe Kosova ndodhen para sfidash serioze që kërkojnë bashkëpunim, koordinim dhe solidaritet shtetëror dhe kombëtar, jo akuza e padi të ndërsjella.

Të mos harrojmë që kundërshtarët tanë, si armë kryesore kundër shqiptarëve, historikisht, kanë patur nxitjen e mospajtimeve me nesh, deri në vëllavrasje. Që kjo vazhdon edhe në shekullin 21, nuk përbën ҫudi. ҫudia është si vazhdojnë ta hanë ende këtë gjë një pjesë e shqiptarëve dhe ndonjë prej udhëheqësve të tyre. Nga budallallëku? Apo më keq, ngaqë bëjnë lojën e kundërshtarëve tanë për interesa të caktuara?

COMMENTS