"> PUBLIKOHET RAPORTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT – ShkupiLajm.com
PUBLIKOHET RAPORTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

PUBLIKOHET RAPORTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Shpërndaje

ÇFARË ËSHTË GJENDJA NË RMV, SHQIPËRI E KOSOVË?

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paraqiti të martën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, duke thënë se riafirmonte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta vënë çështjen e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të të vendit.

Ai tha se duke dokumentuar çdo vit statusin e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit siguron informacion objektiv dhe gjithëpërfshirës për Kongresin, shoqërinë civile, akademikët, aktivistët dhe të tjerët kudo që janë.

Zoti Blinken tha se raporti për vitin 2020 pasqyron sfidat e veçanta me të cilat u përballën vendet e ndryshme. Disa qeveri, tha ai, e përdorën krizën si pretekst për të kufizuar të drejtat dhe për të konsoliduar sundimin autoritar. Qeveri të tjera u mbështetën në vlerat dhe proceset demokratike, si shtypi i lirë, transparenca dhe llogaridhënia, për të informuar dhe mbrojtur qytetarët e tyre.

MAQEDONIA E VERIUT

Sikurse njofton Zëri i Amerikës, kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, vlerësohen hapat që ka marrë Qeveria për iden tifikimin, hulumtimin, paditjen dhe gjobitjen e pesonave zyrtarë për shpërdorim detyre. Dhuna dhe kërcënënimet me dhunë ndaj gazetarëve, korrupsioni në nivel të lartë, shembuj të dhunës dhe kanosje ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI, – këto janë disa nga gjetjet e Raportit të DASH-së për vitin e kaluar. Po ashtu, në të thuhet se pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë bërë shpërdorime të caktuara përfshirë këtu përdorim të tepërt të forcës nga ana e policisë dhe gardianëve nëpër burgje. ‘ Qeveria ka ndërmarrë masa për identifikimin, hetimin, padit jen dhe ndëshkimin e zyrtarëve që kanë bërë shpërdorime,’- citon Raportin seksioni maqedonas i Zërit të Amerikës duke nënvizuar se Avokati I popullit ‘beson se mosndëshkimi i policisë vazhdon të mbetet problem’. Sa i përket luftimit të korrupsionit nënvizohet ekzistimi i raporteve për implikim të personave zyrtarë, ndërkohë që pasqyrohen shqetësimet e sektorit joqeveritar se ‘roli mbizotërues i qeverisë në ekonomik krijon kushtev për korrupsion’.

Në të njëjtën kohë, Departamenti i Shtetit shënon se Qeveria ka treguar respekt më të madh ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe paanshmëri në raport me vitetet e mëparshme. Lidhur me lirinë në internet, Raporti vëren se Qeveria kuk ka kufizuar qasjen e as që ka censuruar përmbajtje online. Po ashtu, thuhet se ‘nuk ka raporte se Qeveria ka monitoruar komunikime private online pa autorizim përkatës ligjor’.

SHQIPËRIA

Ndërkaq, sa i përket Shqipërisë, Raporti I Departamentit Amerikan të Shtetit konstaton se gjatë vitit 2020 vendi është përballur me disa çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut, si: pavarësia e gjyqësorit; kufizimet e shprehjes së lirë dhe shtypit; korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes dhe institucionet; dhe moszbatimi i ligjeve për punën e të miturve.

Mosndëshkimi mbeti një problem serioz, thuhet në raport. “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”

Raporti përmend ngjarjen e 8 dhjetorit në Tiranë, kur Policia e Shtetit vrau me armë zjarri një person i cili ishte në shkelje të orës policore për COVID-19.

Mosndëshkimi për veprimet e jashtëligjshme të policisë, thuhet në raport, mbetet një problem, megjithëse qeveria bëri përpjekje më të mëdha për ta trajtuar atë, duke shtuar përdorimin e kamerave për të dokumentuar dhe ndjekur penalisht sjelljen e jashtëligjshme të policisë.

Në raport thuhet se kushtet e këqija fizike dhe mungesa e kujdesit mjekësor, veçanërisht për shëndetin mendor, ishin probleme serioze, po ashtu edhe korrupsioni në burgje. “Kushtet vazhduan të jenë nën standardet e duhura në disa mjedise ndalimi të policisë jashtë Tiranës dhe qendrave të tjera të mëdha urbane,” thuhet në raport.

Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara ndonjëherë e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikase, thuhet në raportin e Departamentin e Shtetit për Shqipërinë. “Seancat gjyqësore shpesh nuk ishin të hapura për publikun. Zyrtarët e sigurisë së gjykatës shpesh refuzonin të pranonin vëzhgues në seanca dëgjimore dhe i telefononin rregullisht kryetarit të trupit gjykues për të pyetur nëse duhet ta pranonte këtë ose atë individ që kërkonte të merrte pjesë në një seancë.”

KOSOVA

Ndërkaq, kur është fjala për Kosovën, gjetjen e Raportit vjetor të administratës amerikane janë se disa nga problemet më të rëndësishme në këtë aspekt përfshinin kufizimet e padrejta ndaj shtypit, ku hynin dhuna ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve; korrupsioni dhe mosndëshkimi në qeveri; sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose bashkësive të tjera.

Qeveria, thuhet në raport, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarë që kryen abuzime të të drejtave të njeriut, por nganjëherë i mungonte vazhdimësia. Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media raportuan për raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose që vepronin pa u ndëshkuar. Shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik, thuhet në raport.

Politikanë dhe udhëheqës kryesorë të shoqërisë civile, veçanërisht organizatat e veteranëve, denoncuan publikisht Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (SPO) me bazë në Hagë si dhe u përpoqën për të minuar mbështetjen e publikut për punën e SPO dhe KSC. Këto përpjekje përfshinin protesta publike, një kërkesë për peticion për të shfuqizuar gjykatën dhe një iniciativë legjislative të propozuar nga ish presidenti Hashim Thaçi që mund të kishte minuar mandatin e KSC.

Që nga shtatori, Komisioni qeveritar i Personave të Zhdukur renditi si të zhdukur 1,640 persona që u zhdukën gjatë konfliktit 1998-99 dhe dhunës politike që pasoi. Sipas ligjit, baza e të dhënave të personave të zhdukur të qeverisë nuk përfshin përkatësinë etnike të personave të zhdukur, përveç nëse raportohet vullnetarisht nga familja e tyre. Komisioni la të kuptohet se rreth 70 përqind ishin shqiptarë ndërsa 30 përqind ishin serbë, romë, ashkali, ballkano-egjiptianë, boshnjakë, goranë, malazezë dhe të tjerë.

Zyrtarët nganjëherë u angazhuan me praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem.

OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare aludojnë për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vërejtur se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan në padi. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të shpallur fajtorë për korrupsion ishte shpesh i butë.

Në të paktën katër çështje korrupsioni të profilit të lartë, Gjykata e Lartë gjeti se gjykatat më të ulëta kishin shkelur kodin penal në favor të të pandehurve.

EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh zbatonin dënime më të lehta se minimumi ligjor në rastet e përdhunimit dhe se organet ligjzbatuese rrallë ndërmerrnin hapa për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët. Për më tepër, dënimet shpesh uleshin edhe më tej nga gjykata e apelit. Zyra e Prokurorisë për Ndihmën ndaj Viktimave raportoi një numër të rritur rastesh dhune në familje gjatë vitit, nga 946 raste në vitin 2019 në 1,145 raste që nga tetori.Zëri I Ameikës&Klan Macedonia/

COMMENTS