"> Raporti i ‘Amnesty International’: Në Maqedoni shqetësuese është mos-ndëshkueshmëria dhe gjuha e urrejtjes – ShkupiLajm.com
Raporti i ‘Amnesty International’: Në Maqedoni shqetësuese është mos-ndëshkueshmëria dhe gjuha e urrejtjes

Raporti i ‘Amnesty International’: Në Maqedoni shqetësuese është mos-ndëshkueshmëria dhe gjuha e urrejtjes

Shpërndaje

Edhe përkundër zbatimit të reformave të identifikuara nga Komisioni Evropian, shqetësimet mbeten në lidhje me mosndëshkimin, gjuhën e urrejtjes, diskriminimin ndaj grave, romëve dhe grupeve tjera të margjinalizuara, thuhet në pjesën për Maqedoninë e Veriut në raportin e Amnesty International për të drejtat e njeriut për vitin 2020, transmeton Portalb.mk.

Organizata sheh përkeqësim të situatës së të drejtave të njeriut pothuajse kudo në botë, ndërsa për vendin tonë theksohet se veçanërisht të goditura janë gratë, anëtarët e komunitetit rom dhe grupe të tjera të margjinalizuara.

“Pandemia globale shpalosi trashëgiminë e tmerrshme të politikave qëllimisht përçarëse dhe shkatërruese që përjetësojnë pabarazinë, diskriminimin dhe shtypjen dhe hapin rrugën për shkatërrimin e krijuar që e shkaktoi Covid-19”, alarmon Amnesty International në raportin vjetor të publikuar sot, dhe i cili përfshin 149 vende.

Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, raporti i referohet shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme vitin e kaluar, si dhe orës policore, ndërsa ndalimi i tubimeve fetare thuhet se është zbatuar në mënyrë selektive.

“Amnesty” thekson se Maqedonia e Veriut e ka shkurtuar buxhetin për sektorin joqeveritar me 525 mijë euro, gjë që rrezikonte aftësinë e këtyre organizatave për të ofruar shërbime thelbësore në kohë krize. Sa i përket gjyqësorit, nuk ka përparim në procedurat gjyqësore në lidhje me shkeljet e kufizimeve të kovid-19.

Diskriminimi mbi baza etnike, fetare dhe gjinore jo vetëm që mbetet problem në Maqedoninë e Veriut por është përkeqësuar edhe më shumë me pandeminë.

“Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar shpesh kanë qenë shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit në mediat sociale”, nënvizon Amnesty International, duke u thirrur në të dhënat e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili konstatoi rritje prej 80 përqind të gjuhës së urrejtjes islamofobe përpara zgjedhjeve në korrik.

Romët gjithashtu janë të goditur rëndë nga diskriminimi në vend, veçanërisht për sa i përket mundësisë së ndihmës financiare gjatë pandemisë, njerëzit më të prekshëm mund të mbështeten kryesisht tek OJQ-të dhe disa autoritete lokale për paketa humanitare.

Gratë edhe më tej mbeten kategori e prekshme, veçanërisht në vendin e punës në kohë pandemie.

“Gratë ishin veçanërisht të prekura, ndërsa disave u ishte mbajtur një pjesë e rrogës kur nuk mund të shlonin në punë”, thuhet në raport.

“Amnisty” gjithashtu i referohet industrisë së tekstilit ku gratë përballen me kërcënime për pushim nga puna, kërcënime se kontrata e tyre e punës nuk do të rinovohet dhe punëtoret e tekstilit detyrohen të shkojnë në punë për një fundjavë në Shtip gjatë kohës së orës policore.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i ka zbatuar plotësisht rekomandimet për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve viktima të dhunës.

Ndryshe, në janar të këtij viti Maqedonia e Veriut u rendit më keq se kurrë ndonjëherë deri tani në Indeksin e korrupsionit të Transparency International, me rënie prej 5 vendesh, gjegjësisht në vendin e 111 në një grup me BeH, Panamanë dhe Mongolinë.

COMMENTS