"> Reportazh nga baza e FSK-së në Istog/ Të gatshëm për luftë, për të ruajtur paqen – ShkupiLajm.com
Reportazh nga baza e FSK-së në Istog/ Të gatshëm për luftë, për të ruajtur paqen

Reportazh nga baza e FSK-së në Istog/ Të gatshëm për luftë, për të ruajtur paqen

Shpërndaje

Emisioni “Ballkan” nga gazetarja Linda Karadaku sjell mbrëmjen e sotme një reportazh nga baza e FSK-së, në Istog.

Ushtarë që kanë përjetuar luftën dhe ushtarë që kanë zgjedhur uniformën e ushtrisë për të kontribuar për vendin e tyre, kanë rrëfyer situata prekëse gjatë përballjes me luftën.

Lexo edhe: Kërcënimet e Serbisë për luftë, komandanti i FSK-së: Ushtria e Kosovës është këtu dhe gati

“Jam rekrutuar në grykën e Llapushnikut, më pas kemi shkuar në Shqipëri për armatim dhe jemi kthyer në Rrafshin e Dukagjinit për të mbrojtur atë pjesë. Kam qenë duke shërbyer nën komandën e heronjve Bedri Shala dhe Bekim Berisha dhe jam krenar që kam qenë ushtari i tyre.

Fatkeqësisht ata kanë rënë në një nga betejat e rëndësishme, beteja e Junikut me 10 gusht 1998, më pas sërish kam lëvizur jam rikthyer në malet e Berishës. Në nëntor të vitit ’98 Shtabi i Përgjithshëm lëshoi një urdhër për krijimin e një njësie vëzhguese dhe pata fatin të jem i përzgjedhur. Aty u njoha me një komandant që vinte nga Tropoja, Tahir Sinani i cili ra Iliridë në pjesën e Maqedonisë, por ka qenë një nga komandantët që kam qenë shumë i lidhur”, tregon kolonel Sylejman Cakaj.

Më tej ai tregon rrugëtim prej 20 vitesh, duke u shprehur se qëllim përfundimtar është angazhimi i FSK-së në NATO.

Gjithashtu kapiteni i FSK-së Kreshnik Zeneli, u shpreh për gazetaren Linda Karadaku se kanë qenë familjarisht të angazhuar për fitimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës.

“Familjarisht kemi qenë të angazhuar për fitimin e të drejtave tona që janë cënuar në atë kohë”, shprehet ai.

Gjatë intervistës ai tregon ngjarje nga lufta shprehet se situatë ka qenë e rëndë dhe mes emocionesh tregon skenën kur ka qenë fëmijë bashkë me vëllain dhe motrën të cilët janë strehuar tek një familje për shkak të luftës.

“Babi ka qenë në luftime dhe nëna nuk ka mundur të vijë. Ne jemi strehuar tek një familje dhe më vonë na kanë thënë se babi është lënduar. Ata të luftës që kanë qenë përballë kanë qenë edhe të vendosur, por ne si të pafajshëm e kemi pësuar shumë më shumë sepse kemi përjetuar gjëra që ndoshta nuk është dashur t’i përjetonim”, tregon Zeneli.

Pjesë e kësaj intervistë është edhe Valentina Obrija, FSK e cila shprehet se ka zgjedhur këtë uniformë për të qenë në shërbim të vendit, për të kontribuar sa më shumë.

Ndërsa Kreshnik Krasniqi, tregon se në fillimet e luftës ai ka qenë fëmijë, por ka qenë e pashmangshme të mos mësoheshin me luftën.

“Herën e parë kur kemi ikur nga shtëpia të cilat kanë qenë të shpejta sepse forcat serbe sulmonin pa ndalur. Unë kam qenë në shëtitore dhe kam parë njerëz duke u larguar kur kanë filluar granatimet. Me shumë nxitim kam shkuar në shtëpi dhe pashë që nuk kishte asnjëri pasi ne kemi pasur edhe persona të strehuar.

Por si fëmijë jam frikësuar dhe kam menduar se nuk do të bashkohesha kurrë me familjen. Por jam kujtuar se familjarët na thonin gjithmonë se nëse do të na duhej të largoheshim nga shtëpia, kishim një vend për tu strehuar në mal. Më është dashur rreth 2-3 të bashkohem me familjarët dhe kjo ka qenë shumë e rëndë edhe për mua dhe për prindërit kur kanë kuptuar se nuk kam qenë aty”, tregon Krasniqi.

“Kauza jonë kombëtare ka qenë të largonin regjimin e Millosheviçin në Kosovë. Ndërsa tani është konsolidimi i shtetit. Qëllim ne kemi që të gjitha komunitetet t’i shërbejnë vendit, flamurit. Duam t’i ofrojmë një jetë të mirë të gjithë qytetarëve që pranojnë ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Brenda FSK çdo pjesëtar është i barabartë”, thotë më tej Sylejman Cekaj.

/abcnews.al/

COMMENTS